Sigurimi i Garancisë së Kontratës është një instrument sigurimi që përdoret në procedurat e prokurimit publik dhe privat për të garantuar përmbushjen e detyrimeve kontraktore nga operatori ekonomik fitues. Në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimin publik, garancia e kontratës paraqitet nga kontraktori përpara nënshkrimit të kontratës dhe shërben për të siguruar autoritetin kontraktor kundër rrezikut të mospërmbushjes së detyrimeve të marra përsipër. Në rast se kontraktori nuk realizon kontratën sipas kushteve të përcaktuara, përfituesi ka të drejtë të kërkojë ekzekutimin e garancisë deri në shumën e garantuar.
Ky instrument kontribuon në rritjen e sigurisë, besueshmërisë dhe disiplinës në zbatimin e kontratave publike.
Nga ana tjetër, Sigurimi i garancisë së kontratës u ofron subjekteve ekonomike një alternativë efikase për përmbushjen e kërkesave të kontratave publike dhe private. Ndryshe nga garancia bankare, e cila zakonisht bllokon fonde ose kufizon linjat e kreditit të biznesit, polica e sigurimit nuk kërkon bllokimin e kapitalit, duke ruajtur likuiditetin dhe kapacitetin financiar të subjektit për aktivitetet e tij operative.
Gjithashtu, ajo mund të sigurohet me procedura më fleksibël dhe me kosto konkurruese, duke i mundësuar operatorëve ekonomikë të marrin pjesë në më shumë tendera dhe projekte njëkohësisht. Kjo e bën sigurimin e garancisë një mjet të rëndësishëm për menaxhimin e financave dhe rritjen e kapaciteteve konkurruese të biznesit.