Nga data 3 Gusht 2015 për herë të parë në tregun shqiptar të sigurimeve, filloi punën qendra e Shërbimit ndaj Klientit për trajtimin e dëmeve të klientëve të kompanive të sigurimit Intersig VIG dhe Sigma Interalbanian VIG. Kjo qendër do të funksionojë 12 orë në ditë, nga e Hëna në të Shtunë, nga ora 08.00 – 20.00.
Investimi i konsiderueshëm në sistemet IT është një pjesë kyç e strategjisë së kësaj qendre. Teknologjia e përdorur mundëson ndërveprimin direkt të klientëve me qendrën duke mundësuar kështu një shërbim më efiçent në trajtimin e dëmeve. Gjithashtu do të jetë më i thjeshtë analizimi dhe menaxhimi i informacionit mbi klientët e kompanive përkatëse.
Qendra do të mbledhe të gjithë informacionin e nevojshëm në rast dëmi, dhe klientët mund të komunikojnë nëpërmjet numrit të telefonit apo emailit të vënë në dispozicion nga ata. Specialistët që do të shërbejnë në këtë qender do të bëjnë regjistrimin e dëmit të raportuar nga klienti me telefon, email apo edhe kur ata paraqiten personalisht aty. Më pas do të vijojnë me mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm sipas secilit rast. Pasi rasti të shqyrtohet nga ekspertët përkatës, klienti do të njoftohet po nga kjo qëndër mbi ecurinë e proçesit dhe deri në likuidimin e dëmit.